Konkretisht, lidhur me stafin akademik do ndërmerren:

Përkrahja e zhvillimit profesional: Sigurimi i trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera për të avancuar në karrierën akademike dhe për të përmirësuar metodat e mësimdhënies, shkrimit të projekteve, dhe ato kërkimore- shkencore.

Avancimi në gradat shkencore dhe titujt akademikë: Përkrahja për avancimin në gradat akademike më të larta, duke përfshirë promovimin e profesorëve dhe krijimin e mundësive për të marrë titujt e nevojshëm në respekt të plotësimit të kritereve ligjore për karrierën nëpërmjet krijimit të Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik në UAMD.

Garantimi i lirisë akademike të personelit, duke mos lejuar ndërhyrje politike apo komerciale që mund të cënojnë lirinë e tyre në shprehje dhe veprimtarinë akademike.

Rritja e mbështetjes financiare për stafin akademik, brenda parametrave të ligjit të arsimit të lartë, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes aktive (si referent) në aktivitete shkencore ndërkombëtare, si kongrese, simpoziume, konferenca, etj., të organizuara nga vendet e G-20, OECD dhe BE.

Sigurimi i fondit të Universitetit tonë për të mbështetur pedagogët tanë në botimin e artikujve shkencor në revista ndërkombëtare të indeksuara në SCOPUS dhe Google Scholar.

Përcaktimi i procedurave transparente të menaxhimit të projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë kolegët, transparencë dhe efikasitet në zbatimin e tyre.

Rritja e fleksibilitetit në mësimdhënie, përmes përdorimit të platformave digjitale në përputhje me rregulloren e përditësuar të institucionit.

Për të rritur mundësitë për kërkim shkencor, Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD) synon të zgjerojë aksesin në bibliotekat digitale të universiteteve me të cilat ka marëveshje bashkëpunimi. Në të njëjtën kohë, planifikohet abonimi në revista shkencore të specializuara që ndihmojnë stafin akademik në fusha të caktuara të kërkimit shkencor.

Për të mbështetur balancën midis jetës personale dhe profesionale të personelit të UAMD, planifikohet:

  • Krijimi i lehtësirave financiare brenda kufijve ligjorë, duke siguruar kushte më të mira financiare për stafin.
  • Përmirësimi i kushteve për një transport më të qëndrueshëm, duke inkurajuar përdorimin e mjeteve të transportit të përbashkët ose të transportit publik.
  • Përmirësimi i aksesit në kampusin universitar Spitallë, nëpërmjet lobimit me pushtetin vëndor dhe qëndror, duke mundësuar hyrje alternative dhe shkurtuar distancën dhe kohën e udhëtimit për në Kampusin Universitar.
  • Ndërtimi i godinës Nr. 3 në kampus, që do të zgjerojë kapacitetet akademike dhe administrative. Kjo përfshin rritjen e numrit të auditorëve dhe zyrave për akomodimin e stafit akademik, si dhe sigurimin e kushteve të nevojshme të teknologjisë, si kompjuter dhe internet.