Jetëshkrim

Prof. Dr. Osman Metalla u lind në vitin 1964 në qytetin e Shijakut, Durrës. Ai është diplomuar në Akademinë e Marinës në Vlorë si “Navigator” në vitin 1986. Mes viteve 1994 – 1995 ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Defence Language Institute” në San Antonio, Teksas, ku është diplomuar në gjuhën angleze. Ka kryer një sërë specializimesh në fushën e të drejtës detare, zbatimit të ligjshmërisë në det, zbatimin e Konventave Detare Ndërkombëtare etj.

Në vitin 1996, ka kryer Kolegjin e Studimeve Strategjike për Çështjet e Ekonomisë dhe Sigurisë Kombëtare në Garmisch Partenkirchen, Gjermani, ku është diplomuar me titullin: “Distinguished Graduate”. Në vitin 2013 ka fituar gradën shkencore “Doktor” në fushën e “Manaxhimit portual dhe ndikimi i hapësirave në performancën portuale”. Në vitin 2015 ka fituar titullin akademik “Profesor i Asociuar”, dhe në vitin 2023 ka fituar titullin akademik “Profesor”.

Karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1986 në sektorin detar. Në nëntor 1996, është emëruar Kapiten i Përgjithshëm i Porteve të RSH (1996 – 2001). Në vitin 2005, emërohet Këshilltar i Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, dhe në vitin 2006-2007, emërohet Drejtor i Politikave të Transportit Detar pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve. Për periudhën 2007 – 2013 ka shërbyer në dy legjislatura si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Osman Metalla është shquar si ekspert në fushën e detarisë duke kontribuar në transpozimin e legjislacionit detar, ka marrë pjesë në një sërë projektesh të UN, UNDP, IMO, ILO, si dhe ka qenë një zë publik në çështje të rëndësisë strategjike kombëtare sikurse është ndarja e kufirit detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, çështja e rialokimit të Portit të Durrësit si dhe tematika të tjera të rëndësishme.

Në vitin 2014 angazhohet si staf akademik me kohë të plotë pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe në vitin 2016 zgjidhet Dekan i këtij Fakulteti, detyrë të cilën e mban aktualisht.

Prof. Dr. Osman Metalla është autor i tekstit mësimor të Astronomisë Detare, “Sigurimi detar dhe i marinës”, bashkëautor në tekstin “Lundrimi Detar”, dhe autor/bashkëautor i më shumë se 30 publikimeve në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të botuara në vende të ndryshme si USA, UK, Indi, Itali, Rumani, Hungari, etj. dhe një numër konferencash ndërkombëtare, rajonale, dhe kombëtare. Ai është pjesë e bordit shkencor dhe editorial te disa revistave shkencore. Prof. Osman Metalla është i martuar dhe ka dy fëmijë.

I ftuar në podcastin studentor Student Stars duke promovuar hapjen e një masteri të ri në universitetin tonë, të quajtur ”Mbrojtja dhe Menaxhimi i Mjedisit Detar”, gjithashtu duke promovuar rëndësinë e integrimit të vajzave në studimin e navigacionit dhe logjistikës detare.