Prof. Dr. Osman Metalla
Platforma e kandidatit për REKTOR-UAMD
Të dashur Kolegë Pedagogë,
Të dashur Studentë të Universitetit tonë,
Në këtë mandat të drejtimit të UAMD, së bashku synojmë ta shndërrojmë Universitetin tonë në një institucion akademik gjithëpërfshirës dhe të bazuar në parimet e barazisë së dijes dhe mësimit gjatë gjithë jetës, që mundëson formimin cilësor të të gjithë pjesëtarëve të familjes sonë të madhe universitare.
Kjo arrihet nëpërmjet ekselencës akademike, përfshirjes dhe diversitetit, ndërveprimit me komunitetin, zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimit teknologjik dhe qëndrueshmërisë ambientale, shoqërore dhe qeverisjes transparente. Të gjitha këto, së bashku, kontribuojnë në mirëqenien personale të gjithësecilit, si dhe në forcimin e demokracisë në vendin tonë, dhe në përmbushjen e qëllimit parësor kombëtar, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Do të promovoj pavarësinë e mendimit dhe respektin për të gjithë komunitetin tonë universitar. Do të përçoj zërin tonë të përbashkët në të gjitha instancat zyrtare arsimore të vendit e më tej, në konferencën rektorëve, forumet e biznesit dhe ato ndërkombëtare.
E pranoj me modesti përgjegjësinë për të udhëhequr këtë rrugë sfiduese drejt përparimit dhe zhvillimit të Universitetit tonë.
Ju ftoj të më bashkoheni në këtë udhë, duke zgjeruar së bashku këtë vizion, pasion dhe përkushtim për ta bërë Universitetin tonë një promotor të fuqishëm të zhvillimit, transferimit të njohurive dhe përparimit të vendit tonë përmes fuqisë së dijes.
Këtu s’mund të rri pa vlerësuar të gjithë kolegët e mi që drejtuan me sukses UAMD-në në këtë mandat dhe njëherazi uroj të gjithë kolegët kandidatë në këtë proces zgjedhor, në të gjitha nivelet, pa asnjë përjashtim, për sukses dhe mbarësi.
Nga ky proces duhet që fituesi kryesor të jetë vetëm një: Universiteti ynë.
Ju falënderoj për mbështetjen tuaj.
Me respekt,
Prof. Dr. Osman Metalla